Ditën e sotme në Davos të Zvicrës do të zhvillojë punimet Forumi Ekonomik, ku pjesë e tij do të jenë udhëheqës botërorë, por edhe liderët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë forum që do të zgjasë deri më 19 janar, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Gjithashtu në takim do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i cili pritet të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb.
Këto takime u konfirmuan nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, i cili sqaroi se nuk pritet të ketë takim trepalësh të përbashkët. Pjesëmarrja e të gjithëve në këtë forum nga analistët në Prishtinë po shihet si mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga ndërmjetësi i BE-së për rikthim të palëve në tavolinën e bisedimeve. Takimi i fundit Kurti-Vuçiç në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.
Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi i besimit” dhe mbahet nga 15–19 janar 2024. Ky takim vjetor do të mirëpresë mbi 100 qeveri, të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare, 1000 partnerë të Forumit, si dhe drejtues të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të rinjsh, sipërmarrës socialë dhe media