Partitë e vogla opozitare, kanë firmosur një marrëveshje të përbashkët, e cila ka për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dokumenti i marrëveshjes mban firmat e Sali Berishës, Ilir Metës, Agron Dukës, Fatmir Mediut, Vangjel Dules, Nard Ndokës, Artur Roshit, Ardiatik Alimadhi, Ylber Valteri, Arian Starova dhe Sali Shehu.
Në disa pika të marrëveshjes, kërkohet garantimi i zgjedhjeve të lira, në përputhje me rekomandimet e lëna nga OSBE-OHDIR. Në dokumentin e bërë publik edhe në media, mungon firma e kreut të LZHK, Dashamir Shehi dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi. Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, nuk është bashkuar.
Lulzim Bashës i është dërguar ftesa për të qenë pjesë e konferencës së sotme, por nuk e ka pranuar.
PLATFORMË POLITIKE E FEDERATËS SË OPOZITËS SË BASHKUAR 2
Ne, përfaqësuesit e partive opozitare:
Duke vlerësuar me shqetësim situatën e rëndë në Ballkan, interesin tonë si shqiptarë dhe si vend anëtar i NATOs, dhe duke qenë të ndërgjegjshëm që për t`ju përgjigjur sfidave të sigurisë dhe një Shqipërie Europiane, është e nevojshme ruajtja dhe zhvillimi i një partneritet të qëndrueshëm me SHBA, BE dhe vëndet e NATOs;
Duke marrë në konsideratë situatën shumë të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri gjatë qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës, si dhe cënimin e rëndë të sistemit tonë kushtetues, pluralizmit politik të një Republike Parlamentare, ku Qeveria kontrollon në mënyrë antidemokratike të gjitha pushtetet;
Duke konstatuar me shumë shqetësim braktisjen masive të vendit nga shqiptarët në tërësi dhe nga profesionistë, të rinj dhe të reja, për shkak të humbjes së shpresës dhe rrëshqitjesh së vendit drejt një qeverisje autoritare, të bazuar në korrupsionin, krimin dhe drogën, persekutime, arrestime dhe burgosje politike të liderëve të partive opozitare;
Duke vlerësuar si jetike pjesmarrjen e diasporës në votime dhe angazhimin e tyre politik dhe qeverisës;
Duke mbajtur në konsideratë mosfunksionimin e Parlamentit dhe parlamentarizmit dhe kthimin e tij në apendiks të qeverisë, mohimin e të drejtave kushtetutese të deputetëve të opozitës në Parlament, mosrespektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe shkeljet flagrante të tyre nga qeveria, apo mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për shkak të përdorimit të shtetit për interesa politike, përdorimin e grupeve kriminale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve;
Duke qenë të ndërgjegjshëm mbi nevojën për rikthimin e pluralizmit dhe demokracisë funksionale, krijimit të shpresës dhe besimit tek qytetarët, dhe nevojën që opozita të ngrihet në përgjegjësitë e saj, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve, përmes një politike që tejkalon debatin rreth liderëve politikë, por që bashkohet rreth ideve me interes kombëtar, mundësimin e Integrimit Europian dhe një demokraci Institucionale;
Deklarojmë sa më poshtë:
1. Institucionalizimin e Federatës së Opozitës së Bashkuar, sipas parimit “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë.
MARREVESHJA QE NENSHKRUAN
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se se do të ngrihet një grup pune me qëllim funksionimin e bashkimit opozitar. Ai u shpreh se një grup ekspertësh do të marrë mendime të shprehura nga tryeza e opozitës, por edhe jashtë për ti rikthyer në një qëndrim politik të përbashkët.
“Kjo derë është e hapur për këdo politikan, ka vetëm një kusht për gjithë secilin prej ne, që ne nuk mund të krijojmë marrëdhënie me mazhorancën pa ndërtuar një konsensus dhe një veprim opozitar për cdo nismë, parlamentare apo jo parlamentare. Nëse ne kemi ardhur në parlament edhe me mbështetjen gjithë partive që nuk janë në parlament, ne duhet të përfaqësojmë interesin qytetar pastaj interesat tona preferenciale.
Është detyrim i kësaj tryeze për të ngritur një grup pune për funksionimin e kësaj tryeze. E ritheksojmë që e ideja është të bashkohemi me qëllime të përbashkëta.
E dyta që është imediate ka të bëjë me kushtetutshmërinë e parlamentit. Kemi menduar që një grup ekspertësh të marrë mendime të shprehura nga kjo tryeze por edhe jashtë për t’i rikthyer në një qëndrim politik të përbashkët”, tha Fatmir Mediu.
Deputeti Flamur Noka, u shpreh se bashkimi i opozitës është fuqizim i mesazhit për protestën e organizuar nga opozita, teksa u bëri thirrje socialistëve të jenë në Bulevard më 20 shkurt, kundër atij që e quajti “regjimi i Ramës”.
“Në emër të PD shpreh një falenderim për iniciatorët e kësaj tryeze, z. Duka, z. Mediu dhe z. Dule. Krijimi i këtij fronti vjen në një moment delikat dhe të vështirë që po kalon Shqipëria. Dëshmon se opozita është në lartësinë e kërkuar pas krizës së rëndë politike, ekonomike e shoqërore ku regjimi i Ramës, ka futur Shqipërinë.
Ky bashkim i opozitës bëhet në respekt të shqiptarëve që na votuan. Bëhet disa ditë para zhvillimit të një proteste të opozitës, është fuqizim i mesazhit për protestën e 20 shkurtit. Bashkimi i opozitës është sinjal për Ramës se do t’i përgjigjemi me çdo formë, mënyrë e armë të mosbindjes civile.
Bashkimi me ne, me opozitën është e vetmja formë për ta ndaluar Ramën në asgjësimin e Shqipërisë. Ky bashkim është nevojë kombëtare.
Ky regjim është i bazuar në krim, drogë e vjedhjes të shqiptarëve. Bashkim do të shërbejë si digë mbrojtëse kundër Ramës, varfërimit të Shqipërisë dhe shpopullimit”, u shpreh Noka në tryezë.