Pamje shokuese vijnë nga kufiri i Serbisë me Maqedoninë e Veriut, ku sipas të grupeve të të drejtave të njeriut burra të zhveshur dhe në temperatura shumë të ulëta detyrohen të kthehen nga kufiri serb në Maqedoninë e Veriut.
Videot janë dëshmi e përshkallëzimit të keqtrajtimit të emigrantëve në kufijtë europianë.
Dy video të publikuara nga The Guardian që janë dërguar nga Legis, një OJQ e Maqedonisë së Veriut, tregojnë burrat gjysmë të zhveshur në një pjesë të rrugës afër kufirit Serbi-Maqedoni e Veriut.
Legis thotë se videot janë filmuar nga një vendas në afërsi të fshatit Lojanë, afër kufirit me Serbinë, dhe i janë dorëzuar më 10 shkurt.
OJQ-ja pretendon se incidenti ishte i dyti gjatë një periudhe 24-orëshe, kur pretendon se më shumë se 50 njerëz u detyruan të zhvisheshin nga autoritetet serbe përpara se të ktheheshin me forcë në veri të Maqedonisë.
Legis thotë se stafi i saj lokal më vonë arriti të bisedojë me burrat, të cilët e identifikuan veten si sirianë.
Jasmin Redjepi, president i Legis, tha se kthimet “shqetësuese dhe degraduese” erdhën menjëherë pas një samiti të bashkëpunimit kufitar BE-Serbi, që synonte forcimin e kufirit serb kundër operacioneve të kontrabandës me njerëz.
Edhe pse ka pasur raportime për keqtrajtimin e emigrantëve në kufijtë e tjerë europianë, Redjepi tha se kjo është hera e parë që raportohet në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rados Gjuroviç, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Mbrojtjen e Azilit në Serbi tha se stafi i saj kishte parë një rritje të emigrantëve nga Serbia në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i vitit.
Dunja Mijatović, komisionere për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës , tha: “Raportet e fundit nga oficerët e policisë serbe në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të karakterizuara nga trajtimi i keq dhe degradues dhe grabitja e migrantëve, ndoshta duke përfshirë ata që përpiqen të kërkojnë azil, kërkojnë hetim të shpejtë dhe efektiv nga autoritetet shtetërore.”
“Këto incidente nuk janë vetëm shqetësuese, por edhe tregues të një tendence më të gjerë, shqetësuese midis vendeve anëtare të Këshillit të Europës,” tha ajo.
“Këto veprime duket se shkelin konventën europiane për të drejtat e njeriut, e cila ndalon rikthimin dhe dëbimet kolektive, si dhe standarde të tjera ndërkombëtare që kërkojnë sigurimin e aksesit të vërtetë dhe efektiv në azil për ata që e kërkojnë atë.”
Mijatoviç tha se abuzimi që dukej se po ndodhte në kufirin e Maqedonisë së Veriut ishte tregues i keqtrajtimit të njerëzve vulnerabël në kufijtë anembanë Europës, duke e quajtur fenomenin e përhapur të kthimit të paligjshëm një “problem urgjent pan-europian”.
Policia serbe nuk iu përgjigj kërkesave për koment.