Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje nisën testimet e Urës së Ibrit nëse është e kalueshme për qarkullimin e automjeteve.
Në mesditë testimi u bë edhe me kamionë.
Ky veprim i ndërmarrë nga Prishtina u bë në të njëjtën ditë kur u zhvillua edhe debati mes qytetarëve serb në veri, të cilët kundërshtojnë hapjen e kësaj ure dhe përfaqësuesve të qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e tij Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, theksoi se shteti garanton që do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët.
“Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen”, tha Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal
Testimi u shoqërua edhe me tensione , ku qytetarët penguan punëtorët të pastronin urën nga disa mbishkrime nacionaliste. Kjo bëri që të ndërhyjnë edhe forcat e policisë të cilat shoqëruan edhe dy politikanët serbë, Aleksandar Arsenijevic dhe Stefan Velkovic nga partia Demokracia Serbe, të cilët u liruan më vonë.