Berisha deklaroi:
Miqtë e mi, boshatisja e Shqipërisë është akti më armiqësor, më shkatërrimtar për kombin tonë se të gjitha luftërat, se të gjitha epidemitë, se të gjitha pushtimet, largimi i rreth 40 përqind të qytetarëve shqiptarë nga Shqipëria.
Të dashur miq, në mënyrë të përsëritur jemi ndalur tek shndërrimi i turizmit në një mallkim për qytetarët shqiptarë.
Ky vit shënon de facto shkatërrimin e turizmit në Shqipëri.
Kapacitetet turistike në vend kanë rënë nga 50 gjer në 70 përqind.
Kompanitë e mëdha turistike, njëra pas tjetrës, janë larguar nga Shqipëria.
Tregu ka pasur absurditete nga më të rëndat.
Në një kohë kur propaganda qeveritare u shet shqiptarëve për turistë pasagjerët e Rinasit apo të portit të Durrësit, në mënyrën më mashtruese, më të turpshme kapacitetet turistike, hotelet, shezlonget, çadrat kanë qenë me çerek apo maksimumi dyzet përqind të kapaciteteve të tyre nga qershori gjer sot.
Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, ekonominë e saj dhe shqiptarët, të cilët kanë investuar normalisht se kudo tjetër në turizëm.
Të cilët nga thellësitë e Alpeve gjer në Konispol, në të gjitha brigjet e detrave dhe liqeneve, në të gjitha malet dhe luginat e lumenjve, e shihnin dhe e shohin turizmin si një dritë shprese për mëkëmbjen e tyre ekonomike.
Por çfarë ndodhi këtë vit? Shkaku i parë dhe më kryesor miqtë e mi është varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve.
Ky është shkaku themelore.
Para 8 muajsh u publikua studimi që tregonte se 60 përqind e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë pushime, të shkojnë me pushime.
Miq, kur lexova atë studim mu rikujtua koha e diktaturës, kur në atë kohë jo më shumë se 30-40 përqind e qytetarëve mund të shkonin me pushime. Edhe më pak.
Nuk mund të shkojnë me pushime 47 përqind e shqiptarëve që deklarojnë se nuk sigurojnë dot ushqimin e duhur për fëmijët e tyre.
Të jemi realistë, plazhet e jugut i mbushte Tirana, kjo është e vërteta.
Dhe varfëria i përjashtoi shqiptarët nga kjo mundësi.