KORÇË-Dyshohet se Egli Proga është dhunuar për vdekje nga Denis Meçe për shkak të gjobvënies. Edhe një i afërm tjetër i viktimës ka thënë se autorët njihen për gjobvënie në qytetin e Pogradecit. Ai kërkoi drejtësi për Progën dhe u shpreh se ata janë kriminela dhe veprojnë në bashkëpunim.
“Gjithçka pritet nga këta kriminela. Në qytetin e Pogradecit këta njihen shumë mirë për gjobëvënie, jam pa fjalë. Nuk di çfarë të them. Dua që drejtësia të vihet në vend. Ju lutem mediat të bëjnë të pamundurën, të zbardhin të vërtetën ose nuk e di ç’të them. Këta janë kriminela të gjithë në bashkëpunim”, tha ai për mediat para Gjykatës së Korçës.
Gjykata la në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç.
Egli Proga ndërroi jetë të shtunën, si fillim ngjarja u raportua si aksident, ku u tha se viktima humbi jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.