Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vrasjes së babait të dy fëmijëve në Pogradec, duke e cilësuar atë si një akt të lidhur me doktrinën kriminale të qeverisë Rama.
Në një tubim qytetar, Berisha shprehu ngushëllime dhe solidaritet për familjen Proga, duke thënë: “Në emër tuaj unë duhet t’i shpreh solidaritetin tonë njerëzor familjes Proga, e cila humbi njeriun e vet më të çmuar nga dorë vrastare e mafies.”
Berisha akuzoi sistemin ligjor dhe autoritetet për mbrojtjen e kriminelëve dhe për lënien e tyre të lirë pas krimeve.
“Ky akt kriminal është një reflektim i doktrinës kriminale të Edi Ramës. Ata që u liruan fshehën krimin monstruoz,”tha ai, duke theksuar se akti i vrasjes dhe mbështetja për kriminelët janë pjesë e një strukture më të gjerë të korrupsionit dhe dhunës që, sipas tij, mbizotëron në vend.