Gjykata e Sarandës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për 28-vjeçarin Lilo Mera, i akuzuar për “goditje për shkak të detyrës”.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë për të mbajtur në paraburgim Mera, i cili u arrestua për dhunën ndaj dy efektivëve të policisë.
Ngjarja ndodhi të shtunën në Ksamil, ku Mera kishte parkuar gabim pranë një biznesi të të vëllait të tij. Kur efektivët e qarkullimit rrugor i kërkuan të shlyente gjobën për parkimin e gabuar, Mera i refuzoi dhe i dhunoi ata fizikisht. Pas incidentit, ai u largua me shpejtësi me automjetin e tij, duke mos i’u bindur urdhrit për të ndaluar.
Përveç masës ndaj Merës, gjatë hetimeve në vendngjarje, autoritetet zbuluan një biznes këmbimi valutor të paligjshëm, që ishte në pronësi të vëllait të tij. Ky i fundit u procedua në gjendje të lirë për aktivitetin e paligjshëm.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi që Mera të qëndrojë në burg deri në përfundimin e procesit gjyqësor për akuzat që rëndojnë mbi të.