TIRANA- Sot ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë, Zyhdi Shehu, që dyshohet se vrau një të moshuar në një azil pak ditë më parë. Bëhet me dije se Shehu kishte katër ditë i shtruar në spital.
Lidhur me ngjarjen e pak ditëve më parë, dyshohet se 78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje shokun e dhomës me bastun, pas një sherri mes tyre që dyshohet se ka nisur, pasi viktima ndodhej në krevatin e autorit. Për këtë arsye, Shehu ka marrë bastunin dhe ka nisur të godasë shokun e dhomës disa herë. Dy të moshuarit vuanin nga skleroza dhe flinin në një dhomë.
Ndërkohë, botuesi Fatmir Toçi me anë të një postimi, ka bërë me dije se studiuesi e historiani Zyhdi Shehu ndërroi jetë.Toçi shkruan se Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë.
POSTIMI:
NDAHET NGA JETA STUDIUESI KAVAJAS ZYHDI SHEHI
Ka ndrruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…
Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë. Për këto kontribute për qytetin e tij dhe shoqërinë e emancipuar kavajase ai ishte shpallur njëzëri nga Këshilli Bashkiak i qytetit “Qytetar Nderi i Kavajës”, titull i merituar për një personalitet të shquar e me kontribute konkrete si Zydi Shehi, i cili gjatë gjithë jetës së tij reflektoi mirësi, korrektesë e kulturë, shembullin e modelin e qytetarit bashkëkohor.
Ndarja nga jeta pas një sëmundje të gjatë e të mundimshme, me probleme të dhimbshme e situata të pamerituara për natyrën e tij fisnike ka pikëlluar jo vetëm familjen, të afërmit e miqtë e tyre, por dhe çdo kavajas e këdo që e ka njohur atë apo veprën e tij të çmuar. Ngushëllime dhe u prehtë në paqe!