ELBASAN- Kompania turke Kurum International sha dyshohet se është origjina e qindra ton mbetjeve të rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit. Prokuroria e Durrësit ka zbarkuar ditën e sotme në kompaninë Kurum në Elbasan për të sekuestruar dokumentacionin e eksportit të 102 kontejnerëve mbetjeve nga kompania “Sokolaj shpk” drejt Tajlandës që dyshohen të jenë toksike.
Ish-Sekretari i Sindikatës së Puonjësve të Industrisë, Taf Koleci, ka përfaqësuar 500 punëtorët e KURUM në negociatat e tyre me kompaninë. Kjo e fundit ka në shfrytëzim Metalurgjikun e Elbasanit, por Koleci thotë për Report TV se KURUM është larguar dhe me marrëveshje. Në një bisedë telefonike ai thotë se punonjësit janë larguar dhe janë në pritje të një kompanie kineze që pritet të vijë në zonë.
Deklarimi i Taf Kolecit:
“Është bërë marrëveshje që punonjësit e larguar të marrin 60% të rrogës. Të njëjtët do të rikthehen në punë pasi do jenë në pritje të ardhjes së një firmë kineze rreth fillimit të nëntorit. Kjo kompani, (për të cilin Koleci thotë se nuk ka dijeni për emrin), do të rimarrë në punë të larguarit (që sipas tij nuk janë 500, por vetëm 250 punëtorë)”, tha Koleci, i akuzuar nga Sindikata aktualisht se ka përfaqësuar interesat e kompanisë dhe jo ato të punëtorëve në këtë proces. Marrëveshjet janë bërë individuale, tregon ai dhe me vullnetin e lirë të punonjësve, të cilët janë njoftuar 3 muaj më parë.
Kompania Kurum është vënë edhe nën monitorimin e Inspektoriatit të Punës, për të parë nëse janë shkelur të drejtat e punëtorëve, e se si do të mbrohen ata në rast se janë hedhur në rrugë. Ndërkohë që 500 punëtorë u flakën në rrugë nga Kurum me argumentin se kostot e prodhimit janë të larta. Nga 1 gushti firma ka ndaluar prodhimin dhe nga 20 gushti edhe përpunimin.
Si nisën telashet për “Kurum”?
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore, e cila e ka marrë emrin nga Konventa e Bazelit e vitit 1989, ku përcaktohen kufizime të qarta për tregtimin e mbetjeve të rrezikshme. Ngarkesa mësohet të ketë zanafillën tek mbetjet e krijuara gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i Kompanisë turke Kurum në zonën e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Dyshimet janë që transporti të jetë kryer nën dokumenta te falsifikuara si mbetje jo të rrezikshme. Ato janë shkarkuar në Terminalin e mallrave rifuxho në portin e Durrësit duke u ngarkuar më pas në konteinerë. Ndalesa e parë ka qenë fillimisht në portin e Triestes në Itali, ku kontenierët janë ngarkuar në anije të tjera, me destinacion Tajlandën.