Këngëtari i njohur, Shpat Kasapi, ishte mëngjesin e kësaj të mërkure i ftuar në studion e emisionit “Wake Up”.
Ai ishte së bashku me këngëtaren Ergita Bahja, me të cilën ka një bashkëpunim të titulluar “M’thirr” që brenda pak ditësh po korr shumë sukses në “The Top List” dhe jo vetëm.
Momentalisht projekti i tyre është në vend të katërt të listës së 100 këngëve më të mira moderne shqiptare të javës.
“Kënga ka qenë planifikuar si single, por 5 ditë përpara xhirimit Genti Myftaraj më nis një demo në Whatsapp dhe dëgjoj zërin e Shpatit. Të nesërmen folëm për detajet dhe kështu lindi”, ka treguar Ergita në lidhje me bashkëpunimin me Shpatin.
Ndërkohë ky i fundit ka zbuluar planet e tij të ardhshme në lidhje me muzikën.
“Më mungonte Shqipëria. Do të ketë një koncert recital, në nëntor ose dhjetor do të filloj të punoj për këtë”, u shpreh Shpati.
Pas kësaj, moderatorja e emisionit, Neada Muçaj, i thotë se ‘do ishte shumë interesante që t’a shikonim në Big Brother VIP”.
Këngëtari i dashur për publikun shprehet se një gjë të tillë ia kanë thënë shumë njerëz.
“Pse jo, ma kanë thënë shumë njerëz, mbrëmë bilës te palestra se kam filluar të bëj pak palestër”, u përgjigj Kasapi.
Ai shton se i kanë thënë shumë se pse nuk futet në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
“Më thonë ‘Shpat shiko se ti ke një karrierë, nuk ke asgjë për të humbur, aty vetëm do fitosh. Tash 20 vjet ke karrierë, s’ke asgjë për të humbur, futu njëherë të të shohim’. Unë u them ‘do më votoni?’. Kushti. Do me më parë aty, votoni”, tha duke qeshur Shpat Kasapi.