Presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se NATO rrezikon të hyjë në luftë me Rusinë nëse Perëndimi do të lejojnë Ukrainën të sulmojë territorin e vendit te tij me raketa me rreze të gjatë veprimi .
“Nëse merret vendimi, do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, përfshihen drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë. Kjo, natyrisht, do ta ndryshojë dukshëm vetë thelbin, natyrën e konfliktit. Pra, nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për ta lejuar apo jo regjimin ukrainas ta godasë Rusinë me këto armë. Çështja është a do të merret vendimi për t’i lejuar apo jo vendet e NATO-s të përfshihen drejtpërdrejt në një konflikt ushtarak”, tha Putin.
Kreu i Kremlinit theksoi se Rusia do të detyrohet të marrë vendimet e duhura bazuar në kërcënimet e reja.
Pavarësisht se deri më tani ndërkombëtarët nuk e kanë lejuar publikisht Ukrainën t’i përdorë këto raketa, sipas mediave, Britania e Madhe mund ti ketë ndezur dritën jeshile Kievit për këtë çështje.
Gazeta britanike The Guardian shkruan se ky vendim besohet të ketë ardhur gjatë diskutimeve me dyer te mbyllura të presidentit Zelensky me sekretarin e jashtem të Mbreterise së Bashkuar David Lammy dhe sekretarin amerikan të shtetit Blinken , gjate vizitës në Kiev.
Perëndimi është në mëdyshje nëse duhet ta ndërmarrë një hap të tillë pasi e ka akuzuar shpesh here Moskën për pranimin e raketave balistike nga Irani, veprim ky që është mohuar nga Teherani.