TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, ka folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit, ku mbrojti qëndrimin e të majtëve për mandatin e Olta Xhaçkës.
Niko Peleshi: Nuk bëhet fjalë për një kundërshtim të Gjykatës Kushtetuese, ne e zbatuam vendimin, duke e futur në seancën e parë. Është e vërtetë nga ana tjetër që ky mocion nuk përparon dot, për shkak të votimit me abstenim, apo kundër. E gjitha kjo për shkak të paqartësisë, nëse prevalon e drejta e deputetit për të vendosur, apo detyrimi për t’u zbatuar vendimi i Kushtetueses. E çmoj të drejtë vendimin e kryetares së Kuvendit, për të kërkuan opinion nga Venecia, do të na vlejë për të gjitha vendimet e mëtejshme të Gjykatës Kushtetuese. Ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese e kemi trajtuar me seriozitetin e duhur, Kuvendi është një bashkësi deputetësh, votimi bëhet sipas vullnetit të deputetëve.
Kush e kontrollon votën e deputetëve?
Niko Peleshi: Ne nuk kemi thënë që nuk votojmë me vendim grupi, këtë herë nuk është marrë një vendim politik, nuk ishte ky rasti. Ne votojmë në grup, dikush mund të jetë edhe kundër, por zbaton disiplinën e grupit. Unë ju thashë që për këtë çështje nuk kishte një vendim grupi, sepse vetë ne ishim të paqartë. Abstenimi duhet lexuar në këtë rast si paqartësi.