Pasi ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi thirrjen e një proteste para selisë së Partisë Demokratike, me 8 janar, për nxjerrjen nga selia të kryedemokratit Lulzim Basha ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
Përmes një shënimi në Twitter, Bardhit thotë se rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen nongrata të Sali Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.
Teksa thekson se protesta po bëhet kundër lyerjes së PD-së, Bardhi shton se një protestë të tillë mund ta thërrasë vetëm dikush që ka humbur arsyen nga një hall i madh.
Postimi i plotë:
Ka vetëm një rrezik për bunkerizimin e PD. Ai nuk vjen as nga adezivët me logon e PD, as nga risistemimi i disa ambjenteve të punës për sekretariatin e PD. Rreziku për bunkerizimin e PD vjen nga kushdo që shpalljen nongrata të Sali Berishës nga SHBA kërkon ta transferojë tek çdo demokrat.
Histeria me brava dhe blinda është një histori e dështuar dhe qesharake. Quhet mjerim kolektiv! Njësoj si qëllimi i të ashtuquajturës protestë kombëtare, ku demokratët ftohen të protestojnë kundër Partisë Demokratike!
Protesta kombëtare kundër lyerjes së godinës së PD, në oborrin e PD, mund të thërrasë vetëm dikush që e ka humbur arsyejen nga një hall i madh. Kjo nuk u shërben demokratëve, por i shërben vetëm Edi Ramës, dhe është vijim i talljes disa mujore me demokratët dhe sakrificën e tyre.