Pas vizitës në Tiranë, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka pritur në një takim zyrtar në Ankara presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Ashtu sikurse edhe Ramës rreth një vit më parë, edhe presidentit serb iu bë një ceremoni madhështore pritjeje shtetërore.
Situata në Bosnjë dhe çështjet e sigurisë në Ballkan ishin temat kryesore të diskutimit midis dy krerëve të shteteve.
“Biseduam për krizën në Bosnje dhe Hercegovinë. Mbështetja e Serbisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit. Është e nevojshme të punojmë të gjithë se bashku, komuniteti ndërkombëtar, për të kapërcyer krizën. Turqia do të bëjë gjithçka për të ulur tensionet në Ballkan. Pas zgjedhjeve të Serbisë, ndoshta do të zhvillojmë një takim bashkë me tre anëtaret e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës”, deklaroi Erdogan.
Nga ana tjetër edhe Vuçiç u shpreh në të njëjtën linjë ku deklaroi se Serbia do të respektojë integritetin e Bosnjës për aq kohë sa do të vlerësohet edhe integriteti i Republikës Sërpska.
“I thashë Erdogan se Serbia do të respektojë integritetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, pasi besojmë që është e rëndësishme të respektohet integriteti i Republikës Sërpska brenda. Ne nuk do të devijojmë prej marrëveshjes paqësore, Marrëveshjes së Dejtonit, kjo është e vetmja politikë që mund të na garantojë ruajtjen e paqes”, tha Vuçiç.
Takimi u finalizua me nënshkrimin e 4 marrëveshjeve për bashkëpunim në tregti, arsim dhe turizëm.