Një 39-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Bledar Muça u vra mbrëmjen e së shtunës në Antwerp, Belgjikë. Autori i vrasjes, së bashku me bashkëpunëtorët janë ende në arrati.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 dhe viktima u qëllua teksa lëvizte në autostradë dhe vdiq në vend. Pista ku po heton policia është për larje hesapesh.
Bledar Muça është emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe rezulton i përfshirë në shumë ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit. Në këtë qytet ai njihet për lidhjet e ngushta me fisin Çapja, ndërsa konsiderohej si “krahu i djathtë” i Ardjan dhe Florenc Çapjas.
Kujtojmë që në vitin 2016 Bledar Muça mbeti i plagosur si pasojë e një atentati ku objektiv ishte ai dhe Florenc Çapja. Dy miqtë morën plagë të lehta nga breshëritë e kallashnikovit, në një lokal në dalje të qyteti të Elbasanit.
Bledar Muça ka qenë një prej të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, të cilët u ekzekutuan në qytetin e Elbasanit.
Dy vite më parë Muça u shpall në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.
Dy vjet pas Roland Rexhepit, në fund të vitit 2011 do të ekzekutohej me dy plumba edhe vëllai i tij, biznesmeni Ilir Rexhepi.
Pas vrasjeve policia nisi kërkimet për Bledar Muçën, por ky ia doli të kalonte kufirin pa u vënë në pranga.
Në verën e vitit 2016 ai u prangos dhe u dënua me dy vite burg pasi qëlloi me armë ndaj efektivëve të policisë teksa ishin në vëzhgim të familjes Çapja.