Tierry Henry ka pranuar se është i shqetësuar për shëndetin mendor të Neymar, pasi ylli i Paris Saint-Germain vazhdon të zhgënjejë me paraqitjet e tij në sezonin 2021-2022. Neymar është duke zhvilluar ndoshta sezonin e tij më të keq deri më tani me fanellën e PSG-së, me vetëm katër gola dhe katër asisti në 18 paraqitje, në të gjitha garat.
Po, ai nuk ka qenë mirë, por ka arsye, – tha Henry për “L’Equipe”. – Neymar ka folur shpesh në intervistat e tij të fundit për mirëqenien e tij psikologjike, për presionin, kështu që mendimi im i parë është: A ndihet mirë? Ai flet, por a mund ta dëgjoni? Ai po kërkon ndihmë, ka gjëra që ndodhin në kokën e tij, si te çdo qenie njerëzore”.
Intervista kryesore që Henry duket se po i referohet është ajo që Neymar i dha DAZN vitin e kaluar, gjatë së cilës tha se po planifikon të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar në të ardhmen e afërt: “Mendoj se ky është Botërori im i fundit (në Katar). E shoh si të fundit, sepse nuk e di nëse kam forcën e mendjes të merrem më me futboll”.
Neymar ka sugjeruar gjithashtu se është i lodhur nga kërkesat intensive të lojës evropiane në nivel klubesh, duke hapur derën për një largim të mundshëm në MLS: “Do të doja të luaja në SHBA, në fakt. Do të doja të luaja atje të paktën për një sezon. Sezoni i tyre është më i shkurtër, kështu që unë do të kisha tre muaj pushime”.