TIRANË– Bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani ka vijuarm e dëshminë e tij para prokurorëve të posaçëm, por këtë herë e ka tejkaluar Shqipërinë. Mësohet se Dumani ka folur në lidhje me atentate të shqiptarëve të ndodhura jashtë vendit. Konkretisht mësohet se Dumani ka folur për atentate të shqiptarëve të ndodhura në Belgjikë, Holandë dhe Itali.
Pritet që të zbardhen emra të shqiptarëve, të cilët janë ekzekutuar në këto tre vende. Rastet janë të shumta. Më të fundit mund të përmendim vrasjen e Bedar Muçës në Belgjikë dhe atë të Arjan Spahiu, të ndodhur në të njëjtin vend, në vitin 2021. Edhe vrasjet e shqiptarëve në Itali e Holandë nuk kanë qenë të pakta.
Pas dëshmisë së marrë, SPAK po bashkëpunon me prokuroritë e tre vendeve në fjalë për të kryqëzuar të dhënat e rrëfyera nga Dumani me ato të ngjarjeve të cilat janë ndjekur prej tyre. Dumani ka nxjerrë edhe 100 emra të personave të botës së krimit në Shqipëri, që veprojnë në disa qytete, e një pjesë e këtyre emrave, janë arrestuar dhe shpallur në kërkim me vendim gjykate, ndërsa për pjesën tjetër vijohet të hetohet në çdo moment.
Dumani dhe Hoxhaj kanë treguar edhe anëtarët e grupit të armikut të përbetuar Talo Çelës, që vijon të qëndrojë prej disa vitesh në arrati. Ndërkohë që herën e parë të gjithë “VIP-at” shpëtuan, edhe pse gjithsej ishin prerë 32 urdhër-arreste, 18 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 14 të tjera janë shpallur në kërkim.