Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka falenderuar personalisht kryeministrin Edi Rama për përkushtimin e tij ndaj marrëveshjes “Ballkani i Hapur”. Ai tha se pavarësisht kritikave që Rama kishte marrë, me sjelljen e tij ishte treguar një lider.
“Gjithashtu falenderoj personalisht Ramën i cili ka treguar fuqi të mëdha të një lideri pavarësisht kritikave të marra për Open Balkan. Pa përkushtimin e tij Balkani i Hapur nuk do mund të ekzistonte”– u shpreh Vuçiç.
Mes të tjerash Vuçiç tha se së shpejti do të kishte një grup të përbashkët ekspertësh pune që do të bashkëpunonte lidhur me zgjidhjet e mundshme mbi krizën e krijuar nga rritja e çmimeve.
“Në javën e ardhshme do kemi një video-konferencë në mënyrë që ekspertët tanë të bashkohen dhe të flasin për zgjidhje që të ndihmojmë njëri tjetrin sa i përket krizës. Nuk mund të sjellim rezultate të menjëhershme por do të duket çdo ditë e më shumë. Duhet të vazhdojmë të bisedojmë për të lehtësuar kalimin në kufi që njerëzit të mos kenë më kontrolle të shumta dhe të hiqen procedurat burokratike. Unë çdo herë jam i pakënaqur me veten megjithatë nëse e shihni me kujdes ka pasur hapa shumë të mëdha në marrëveshjet e nënshkruara. Unë dua t’u them fqinjëve, motrave dhe vëllezërve maqedonas se ne në Serbi nuk kemi asnjë qëllim ndaj Maqedonisë vetëm dua të jetojmë se bashku dhe të bashkëpunojmë”-përfundoi presidenti serb.