Kompleksi në pronësi të ish-Presidentit të SHBA, Donald Trump në Mar-a-Lago të Floridas është mësyrë nga agjentë të armatosur të FBI-së, të cilët janë duke kryer kontrolle të imtësishme, duke zbërthyer edhe kasafortat më të sigurta të tij.
Duket se hetimi ka për pistë kryesore akuzat e ngritura ndaj ish-Presidentit, ku pretendohet se ai ka marrë me vete dokumente të klasifikuara kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Trump kur njoftoi bastisjen nuk tha konkretisht se çfarë po kërkonin agjentët federalë, por tha me notë proteste: “Ata hynë edhe në kasafortën time!”.
Hetimi është fokusuar në materialet që ka në posedim Trump, dhe veçanërisht nëse ai ka informacion të klasifikuar në posedimin e tij privat, që do të ishte shkelje e ligjit federal.
Kjo pasi, Trump mori me vete në rezidencën e tij 15 kuti me materiale në janar 2021 pasi u largua nga Uashingtoni D.C.
Kutitë u kthyen në Arkivin Kombëtar një vit më vonë në janar 2022, por agjentët të hënën po kërkonin të shihnin nëse Trump kishte të dhëna shtesë.
Kërkimi u fokusua në zonën e klubit ku ndodhen zyrat dhe ambientet personale të Trump, raportoi CNN, duke vënë në dukje se avokatja e tij, Christinia Bobb ishte e pranishme gjatë kontrollit.
Dhe, gjatë një takimi në Mar-a-Lago në fillim të këtij viti, avokati i Trump u tregoi hetuesve federalë dokumente që po mbaheshin në këtë pronë, duke përfshirë disa që ishin shënuar të klasifikuara.
Bastisja vjen pasi Donald Trump po shqyrton paraqitjen e një tjetër oferte për presidencën dhe veprimet e tij pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku ai u përpoq të zhvlerësonte fitoren e Joe Biden, janë nën hetim nga ligjvënësit në Capitol Hill.
Për bastisjen që nisi të hënën dhe zgjati disa orë, Trump është shprehur se është e pazakontë që ndërhyrja federale të bëhet në rezidencën e një ish-komandanti të përgjithshëm.
”Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së. Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë një presidenti të Shteteve të Bashkuara më parë. Pas punës dhe bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, ky bastisje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”, tha Trump në deklaratën e tij tronditëse.
Në vijim ai e cilësoi atë si “sjellje të pahijshme prokuroriale, armatim të Sistemit të Drejtësisë dhe një sulm nga Demokratët e Majtë Radikalë, të cilët dëshpërimisht nuk duan që unë të kandidoj për President në 2024”.
Sipas Trump, ndërhyrja vjen në një kohë, kur sondazhet e fundit e nxjerrin përpara Biden.