Kreu i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se vendi ynë po shpopullohet dhe po plaket për shkak të qeverisjes së keqe.
Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar shifrave të Instat, Meta thotë se partia e tij do të ketë një program të veçantë për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit si dhe për të rikthyer shpresën te familjet e reja.
Shpopullimi po e tkurr dhe po e plak Shqipërinë.
Një tjetër tregues negativ për vitin 2022, ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje me pak.
Për familjet e reja bonuset e lindjes janë shumë të ulta, ndërkohë që korrupsioni, papunësia, pagat e ulta, çmimet e papërballueshme të banesave, cilësia e dobët e edukimit dhe mungesa e perspektivës ja u bën jetesën të papërballueshme.
Partia e Lirisë si një forcë e përkushtuar për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit do të ketë një program të veçantë për të mbështetur fuqimisht familjet e reja, që të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të lindin me guxim dhe gëzim fëmijët e tyre në një vend të sigurt, që kujdeset me dashuri dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e tij.
Koha është tani për të rikthyer shpresën dhe besimin se Shqipëria ka diell për të gjithë dhe së pari për fëmijët e saj!