Një gazetar nga France Football, organizatori i Topit të Artë, shpjegoi pse shtatë herë fituesi Lionel Messi nuk ishte në listën e 30 lojtarëve më të mirë të këtij viti.
Të nominuarit për çmimin e Topit të Artë 2022 u shpallën dy ditë më parë, ndër ta janë Karim Benzema, Darwin Nunez dhe Robert Lewandowski.
Dhe kur u ngrit pyetja e pashmangshme për mungesën e Messit, ai shpjegoi pse kriteri i ri “nuk i përshtatet” sulmuesit të PSG-së që shënoi 17 gola në 46 ndeshje sezonin e kaluar.
“Meqenëse Messi ka qenë në listën e ngushtë 15 herë radhazi që nga viti 2006 dhe ka fituar çmimin e Topit të Artë shtatë herë, është e qartë se kemi pasur shumë diskutime. Argjentinasi ishte pjesë e diskutimit për përfshirjen në top 30, por kriteret e reja për Topin e Artë ishin të pafavorshme për të. Domethënë, nuk ekziston më një kriter me të cilin shikohet e gjithë karriera e një lojtarin dhe kriteri i periodicitetit është ndryshuar. Tani shikohet sipas modelit të një sezoni futbollistik dhe jo si më parë (gjithë vitin kalendarik). Për këtë arsye, Kupa e Amerikës nga 11 korriku 2021 nuk u konsiderua për të. Dhe më pas, duhet pranuar se sezoni i tij i parë në Paris ishte shumë zhgënjyes si për përshtypjen vizuale ashtu edhe për statistikat”, tha ai.