Media spanjolle graffica.info në një artikull të botuar së fundmi akuzon Partinë Socialistë të Shqipërisë, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, se ka bërë plagjiaturë, duke “kopjuar” logon e PSOE, të krijuar nga skulptori, stilisti dhe piktori i njohur Cruz Novillo.
“Logoja PSOE e Cruz Novillo është bërë temë diskutimi. Në Shqipëri, partia socialiste e vendit po përdor krijimtarinë ikonë të stilistit spanjoll pa pëlqimin zyrtar të PSOE. Nga forca e Pedro Sánchez-it ata e kanë siguruar Gràffica-n se nuk janë në dijeni të transferimit të të drejtave; Tani mbetet për t’u parë nëse do të ndërmarrin veprime ligjore”, shkruan media spanjolle në websaitin e saj.
Por më tej nënvizohet se nga PSOE e drejtuar aktualisht nga kryeministri Pedro Sançez kanë sqaruar se “edhe pse logoja është qartazi grushti dhe trëndafili i Cruz Novillo, ngjyra që kanë përdorur nuk është e njëjtë”.
Ishte viti 1977 kur politikani socialist Guillermo Galeote porositi Pepe Cruz Novillo të hartonte një logo për PSOE. Më shumë se dyzet vjet më vonë, simboli ikonë i kësaj partie spanjolle, i përbërë nga një dorë që mban një trëndafil, vazhdon të jetë një nga logot më përfaqësuese në historinë politike spanjolle.
Cruz Novillo e projektoi këtë logo për PSOE në 1977. E drejta e autorit të logos, e cila i përket PSOE, menaxhohej përmes një kontrate tashmë të mjegulluar nga kalimi i kohës.
“Babai im është përpjekur të kujtojë, por ka kaluar një kohë e gjatë”, shpjegoi Pepe Cruz Jr për Gràffica.
“Ajo që mund të themi është se ai ishte shumë i vetëdijshëm që tarifat ishin shumë të ulëta. Ai e dinte që në momentin që e krijoi se do të kishte rëndësi, se do të zgjaste, por nuk i mban mend kushtet e kontratës”, ka shtuar i biri i krijuesit të famshëm.
Nuk është hera e parë që kjo logo përfshihet në një rast plagjiature. Në vitin 2017, zinxhiri amerikan i modës Urban Outfitters përdori grushtin dhe trëndafilin si pjesë të një prej bluzave të tyre hipster.
Në atë kohë, Pepe Cruz Jr e siguroi Gràfficën se “nuk është e drejtë të përdoret një vepër pa përmendur autorin”.