Situata e përgjithshme në veri të vendit vazhdon të mbetet e tensionuar. Incidentet e vazhdueshme kanë ndodhur në këtë pjesë nga grupe të maskuara e të armatosura, incidente këto të cilat gjatë të shtunës (10 dhjetor), u shpeshtuan edhe më shumë.
Vendimin e Osmanit për shtyrje të zgjedhjeve në veri e mirëpritën shtetet e QUINT-it.
“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaruan vendet e QUINT-it, shkruan Telegrafi.
Ai është shprehur mirënjohës ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike për siç ka thënë, lidershipin dhe angazhimin konstruktiv në shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
Pak orë para shtyrjes së zgjedhjeve, autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.
E për të kundërshtuar arrestimin e Pantiq, serbët lokalë ngritën barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri.
Duke përmendur çështjet e sigurisë, Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar për mbylljen e dy pikë kalimeve mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës u sulmuan me armë zjarri, ndërkaq nga mjetet shpërthyese u rrezikuan edhe gazetarët të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes.
PK deklaroi se në vetëmbrojtje, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri të dyshuarve, të cilët janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Policia theksoi se serbët kanë shtënë me armë në tri raste.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut”.
E presidentja Vjosa Osmani deklaroi se bandat kriminale të udhëhequra nga presidenti i Serbisë., Aleksandër Vuçiq kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, shkruan Telegrafi.
“Si gjithnjë, në veri bandat kriminale të udhëhequra nga lideri i tyre politik Vuçiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës, mirëpo në këtë sfidë sikurse edhe në çdo tjetër, do të dalim fitimtarë”, tha Osmani.
Reagimet e opozitës për situatën në veri
Për situatën e krijuar në veri të vendit kanë reaguar edhe partitë opozitare në Kosovë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur dështim të Qeverisë shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat në veri. Sipas tij, me vendimin e djeshëm ekzekutivi është dorëzuar para bandave kriminale në pjesën veriore, e kjo ka thënë se e dobëson shtetin.
Ndaj, i pari i PDK-së ka kërkuar nga Qeveria të jap përgjegjësi për sic ka thënë, këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka akuzuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti se janë futur në aventura politike duke e sfiduar shtetin dhe se tani po e dorëzojnë atë.
Më herët gjatë javës është raportuar për sulm në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor, teksa zyrtarë të këtij institucioni kanë synuar nisjen e përgatitjeve për zgjedhje.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur në veri pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Lista Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre. Policia e Kosovës ka shtuar së fundi prezencën në veri të vendit. /Telegrafi/