Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka thënë se Serbia mund të t’i kryejë vetëm 4 funksione sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Grasso tha se asnjëra nga funksionet që mund t’i kryejë Serbia nuk janë në përputhje me situatën aktuale dhe qëllimin e Vuçiqit.
Ai tha se NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojnë kurrë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
“Sipas Rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet të kryejë VETËM 4 funksione dhe ASNJË prej tyre nuk është në përputhje me situatën aktuale dhe qëllimin e z. Aleksandar Vuçiq, i cili e di mirë se NATO dhe KFOR-i nuk do ta autorizojë kurrë këtë!”, ka shkruar Grasso në Twitter.
Ai publikoi gjithashtu këtë pikë të rezolutës në të cilën thirret Serbia.
Grasso këtë e bëri duke i replikuar gazetarit Besnik Velija, i cili kujtoi një moment nga viti 1999, kur komandanti gjerman, Helmut Harff i kishte dhënë ultimatum oficerit serb që për 30 minuta të largohen nga Kosova.
Në Beograd së fundmi kanë përmendur mundësinë e kthimit të ushtarëve serbë në Kosovë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të shtunën se do t’i kërkojnë KFOR-it që të sigurojnë dislokimin e ushtarëve dhe policëve serbë në territorin e Kosovës “në përputhje me Rezolutën 1244”.