Ambasadori i Rusisë në Serbi ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke thënë se gjendja tashmë sipas tij ndodhet “në vijën e fundit”.
“Situata po përshkallëzohet ndjeshëm dhe trendi është shumë i rrezikshëm, do të thosha se është në vijën e fundit, pas së cilës mund të ketë gjakderdhje ose një fazë të nxehtë konfrontimi”, ka deklaruar ambasadori rus në serbi Alexander Botsan-Kharchenko.
Deklaratat skandaloze të diplomatit rus kanë vijuar duke akuzuar autoritetet në Kosovë si ata që me mbështetje të perëndimit, SHBA dhe Europën, kërkojnë përshkallëzimin e situatës, ndërsa sipas tij, është presidenti serb Aleksandër Vuçiç ai që mundohet ta mbajë gjendjen nën kontroll.
“Presidenti Vuçiç mbajti dje urgjentisht një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë fazë, mesazhi i tij kryesor është të përpiqemi të zgjidhim këtë acarim, të dalim paqësisht nga ky raund, të shmangim kalimin në një fazë të nxehtë, por kjo është jashtëzakonisht e vështirë, sepse Prishtina është plotësisht e sinqertë, me paturpësi mbështetet në forcën e ashpër brutale, po e nxit Kosovën, duke dërguar gjithnjë e më shumë zyrtarë të sigurisë atje.
Gjëja kryesore është se nuk duan të flasin me mirëkuptim, por me mbështetjen e Perëndimit – Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi ambasadori rus në Serbi.