Planifikimi një atentati ndaj kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe disa deputetëve të tjerë të LDK-së, është zbuluar nga autoritetet, pretendojnë mediat në Kosovë.
Sipas Gazetës Express, një prej deputetëve që ka qenë në shënjestër të atentatit, emri i të cilit nuk bëhet i dikut, ka dhënë pak çaste më parë dëshminë e tij në një pres stacioneve policore të Prishtinës.
Sipas gazetës, informacione janë konsideruar jashtëzakonisht të besueshme dhe krerët e LDK-së kanë vendosur t’i njoftojnë organet e rendit.
“Njëri nga deputetët, i cili është shënjestër i atentatit të mundshëm, e ku bën pjesë edhe Kryetari Abdixhiku, kanë deponuar krejt informatat që disponojmë në Policinë e Kosovës. Dëshmia e tij u dha para 30 minutash”, shprehet burimi në fjalë.
“Ne besojmë se Policia duhet ta trajtojë me serioizitet këtë rast, meqë informatat dhe shërbimet partnere të Kosovës që kanë arritur deri tek informacionet për atentat ndaj krerëve të LDK-së, janë jashtëzakonisht serioze”, shtoi zyrtari i LDK-së, i cili foli në kushte anonimati.
Gazeta Express shkruan se nuk ka arritur ta konformojë ende nga organet zyrtare këtë informacion, por ajo që është konfirmuar edhe nga burime tjera është se informatat për planifikimin e vrasjes së Kryetarit të LDK-së dhe disa deputetëve të partisë së tij, kanë ardhur të mërkurën pasdite, ndërkohë që tashmë është identifikuar grupi.