Qeveria njoftoi sot se më në fund ka shpallur Vjosën park kombëtar të mbrojtur. Lumi ishte kthyer në kryefjalë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve. Tashmë ky habitat dhe ekosistem nuk do të preket.
“Sot Lumi i Vjosës shpallet kategoria e dytë e mbrojtjes, park kombëtar, nga park natyror në park kombëtar. 12.727 hektarët ku shtrihet do të jetë park kombëtar. Gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore. Bashkë me tre degët, Drino, Bënça dhe Shushica, që bëjnë atë që quhet parku i parë në Europë i një lumi të egër, si Vjosa” tha ministrja Mirela Kumbaro.
Gjithashtu një bima e tulipanit shqiptar të Kukësit u fut në mbrojtje. “Tulipani shqiptar i zbuluar në 2003 shpallet në një lëndinë të caktuar ku rritet në Kukës për shkak të kushteve, monument natyre, shkalla më e lartë e mbrojtjes.
35 hektarë në njësinë e Surroit në Kukës që merr ketë mbrojtje. Kjo speciale është në listën e kuqe ndërkombëtare, speciet më të rrezikuara. Quhet tulipani shqiptar, pasi rritet vetëm në Shqipëri dhe atë zonë” tha Kumbaro.