Serbët e veriut të Kosovës pritet që mos të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 23 prill në veri të Kosovës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit dhe Zubin Potokut zhvillohen pasi kryetarët e Listës Serbe dhanë dorëheqjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe që udhëheq serbët e Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, kjo për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”, ka deklaruar Lista Serbe.
“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsyeja pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Listës Srpska.
Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se gjithsej ka 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb, por asnjë nga Lista Srpska. Sipas KQZ-së, numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është rreth 45 mijë.