Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok paraqitet më e qetë këtë mëngjes. Policia e Kosovës njofton se nuk është regjistruar ndonjë incident, ndërsa sqaron se po kryen detyrat sipas angazhimeve që ka.
Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar selitë komunale që herët këtë mëngjes. Dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur në Zveçan.
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci njoftoi se sot nuk do të paraqitet në zyrat qendrore të komunës për shkak të protestave dhe tensioneve. Peci tha se punën sot bashkë me kabinetin e tij e ka pozicionuar në një tjetër mjedis, pas bisedimeve me KFOR dhe policinë. Por ai thotë se beson që do të kthehen sërish në zyrën qendrore
Diplomatë perëndimorë dhe udhëheqës institucionesh dënuan dhunën në Zveçan, ku grupe protestuesish serbë u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s. Rreth 30 ushtarë u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Tensionet në veri u rritën qysh më 26 Maj, kur Policia e Kosovës hyri me forcë në komunat me shumicë serbe: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç për të ndihmuar marrjen e detyrës nga kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prillit.
Autoritetet e Kosovës fajësuan strukturat ilegale serbe për dhunën në veri, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, bëri përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova që të mos ndërmarrë asnjë masë për hyrjen me forcë në ndërtesat e tri komunave.