Forcat policore u dërguan në veri të Kosovës për t’u siguruar që kryetarët e rinj të vazhdonin punën, pas zgjedhjeve legjitime. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës Albin Kurti në forumin e Bratislavës ku po merr pjesë.
“Kur këta kryetarë të zgjedhur nga zgjedhjet e prillit duhet të shkonin në zyrat e tyre, të cilat ishin bosh sepse serbët ishin tërhequr drejtimi i këtyre komunave, ata u penguan. Forcat tona policore u dërguan për t’u siguruar për vazhdimin e punës së kryetarëve të zgjedhur”.
I pyetur nëse mund të shmangej kjo situatë, Kurti tha se ka forca jashtë Kosovës që duan të nxisin përleshje dhe kërkojnë që situata në veri të përshkallëzohet. Sipas tij këta janë njerëz të dhunshëm që përkrahin Presidentin rus Vladimir Putin.