Gazeta “TheGeopost” ka shpërndarë një video-regjistrim ku pretendohet se dallohet një grup serbësh në Veri të Kosovës, teksa shpërndajnë armë të kontrabanduara me ambulancë.
Publikimi i kësaj video-je vjen pas deklaratave të forta të deputetes britanike Alicia Kearns, e cila u shpreh se serbët po kontrabandonin armë me ambulanca në kishat serbe në Veri të Kosovës.
“Geopost” një medie që përqëndrohet në zhvillimet në rajonin e Ballkanit, shkruan se kontrabandimin e armëve në videon e mëposhtme e ka kryer serbi i arrestuar tashmë nga policia e Kosovës, Milun “Lune” Milenkoviq, drejtues i “Mbrojtja Civile”.
“Anëtarë të “Civilna Zastista (Mbrojtja Civile), të udhëhequr nga i arrestuari, i njohur si Lune, në Mitrovicën e Veriut, lëvizin në rrugë me ambulancën, e cila po mbante armë më 6 dhjetor 2022, kur u sulmuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në qytet”, thuhet në video.
Nga pamjet dallohet ambulanca teksa i afrohet disa serbëve të grumbulluar në Mitrovicën e Veriut, të cilët afrohen duke hapur dyert, nga brenda së cilës mesa duket kanë marrë armët e zjarrit. Më pas ambulanca largohet duke ndezur sirenat.
Kujtojmë gjithashtu se rreth dy javë më parë, një makinë me targa serbe e ngarkuar me një sasi të madhe armatimesh të rënda, deri te mitralozë e granata-hedhës, u ndalua në qytetin e Zveçanit.