Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka konfirmuar se ka pranuar 13 marrëveshjet e përbashkëta Kosovë-Shqipëri, të cilat kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka firmosur ditën e sotme.
“Ju njoftojmë se sot i kemi pranuar 13 marrëveshje nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama njoftoi se ka firmosur të 13-të marrëveshjet që duhet të ishin nënshkruar më herët gjatë takimit të qeverive të dy vendeve, takim që u anulua për shkak të tensioneve në Veri të Kosovës.
Megjithatë, ndonëse Rama përfundoi mesditën e sotme vizitën në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të turit ballkanik, dhe do të niset drejt Prishtinës, mbetet e paqartë nëse Kurti do të tërhiqet nga vendimi për të mos e pritur.
Të konfirmuara janë takimet e Ramës me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.
13 marrëveshjet e nënshkruara dhe që hyjnë në fuqi menjëherë janë në fushën e sigurisë, tregtisë, artit si dhe arsimit.