Drejt pikës kufitare të Jarinës, janë nisur dhjetra autoblinda të policisë së Kosovës.
Mediat në Kosovë raportojnë se policia ka patur informacione se “një person” mund të ishte duke ardhur nga Serbia, por se kush mund të jetë ky person, nuk bëhet e ditur.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ky i fundit është shprehur se ekziston edhe mundësia që në këtë zonë të shpërthejnë sërish protestat.
“Ka informacion se mund të vijë dikush. Mund të mbahen edhe protesta, për këtë arsye, policia është aty për të garantuar sigurinë”, është shprehur Elshani për mediat.
Më herët, mediat kanë raportuar se një grup prej qindra motoçiklistësh serbë ishin mbledhur përpara Parlamentit të Serbisë në Beograd, ku raportohet se kanë deklaruar që do të nisen drejt Veriut të Kosovës, “në mbrojtje të vëllezërve të tyre serbë”.