Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali ka reaguar pasi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e vendit, pas sulmit terrorist të së dielës ndaj Policisë së Kosovës.
Mihali tha se Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar nga KFOR që ta marrë kontrollin në veri e as që do ta bëjë. Sipas Mihalit, “këtë e kërkon vetëm Serbia”. Ajo tha se heshtja e Ramës për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe dhënë Kosovës, në këto momente.
“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri.
E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali.