Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, arrestimin e Milan Radoiçiç në Serbi, e ka cilësuar një veprim simbolik të Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore në një intervistë që dha për median kroate “RTL.hr”.
“Është një lëvizje më simbolike e Serbisë për të dalë nga presioni i fuqive perëndimore. Nëse e dimë që ky është një hap thelbësor dhe lufta kundër krimit, atëherë duhet të arrestohet i gjithë grupi. Po kështu ata duhet t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës dhe të dënohen për atë që kanë bërë në Kosovë,” tha Sveçla.
I pyetur nëse Radoiçiç është kurban i Vuçiç, Sveçla tha se mund të jetë, por nuk do të thotë.
“Unë mendoj se kjo është vetëm një farsë. Aq sa Radojçiç është i afërt me Vuçiç, edhe Vuçiç është afër Radoiçiç. Jemi të bindur se në planifikimin, mbështetjen dhe financimin e aksionit terrorist kanë qenë të përfshirë edhe Vuçiç, ministri i Mbrojtjes Vujeviç dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe, Mojsiloviç. Nëse duam drejtësi të plotë, atëherë duhet të gjykohen në gjykatat serbe edhe ata që kanë dorëzuar armër. Ne kemi dëshmi për atë organizatë terroriste. Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe ata që menaxhojnë kampet stërvitore, të cilat janë nën juridiksionin e ushtrisë serbe,” tha Sveçla.
Lidhur me zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Sveçla thotë se “përderisa Serbia sponsorizon terrorizmin, nuk besoj se do të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore”.
I pyetur për ekzistimin e kampeve stërvitore serbe afër kufirit me Kosovën, Sveçla tha se “ne e dimë se është edhe një kamp tjetër në Kopaonik ku Serbia po përgatit, siç thonë ata, luftëtarë, në fakt terroristë, që në një moment të caktuar, sipas urdhrave të caktuara, të bëjnë atë që kanë dashur në Banjskë,” tha ai.