Mbledhja e parë e kryesisë së PD pas dorëheqjes së Lulzim Bashës është zhvilluar me debate. Shkak janë bërë dyert e blinduara. Gazetari i Abc Juxhin Mustafaraj raporton se në mbledhje ka pasur debate mes deputetit Helidon Bushati dhe Kryetarit të Komisionit Zgjedhor Jemin Gjana.
Helidon Bushati ka kërkuar që të hiqen dyert e blinduara, duke e cilësuar si hap të parë për bashkim. Gjana i është përgjigjur: “Je familje e madhe shkodrane, s’të shkon te vish me propozime për heqje dyersh”. Mbledhja nisi në orën 19:00 ku në fokus ishin zhvillimet e fundit në PD.
Debatet në mbledhje
Enkelejd Alibeaj- Patëm mbledhje me sekretariatin e partisë për të diskutuar në lidhje me situatën në parti. Së pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në parlament e sinqerte dhe e plotë.
Së dyti, kemi situatën tonë ku jemi. Për qëndrimin e mëtejshëm. Pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurtë.
Helidon Bushati– Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikes dhe e vlerësimit tonë politik. Duhen akte konkrete për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Xhesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyre ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i pare për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta.