Analisti serb Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd u shpreh se kërkesat që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka paraqitur të premten si parakushte për “dialog domethënës” do t’u ndihmojnë edhe ndërmjetësve të dialogut në Bashkimin Evropian, emisarit Miroslav Lajçak e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell.
Sipas Janjicit, Vuçiçi është duke llogaritur shumë që shtetet e BE-së do t’i bëjnë presion Kosovës për t’i pranuar kushtet. Ai tha se ka pritje që BE-ja ta detyrojë Kosovën t’i zbatojë parakushtet.
“Por nëse e përmbledhim, parakushtet e tij janë më shumë për rikthimin e serbëve në institucione të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Dhe këtë gjë nuk e di se pse do të zbatohej, por për mua mbetet një pyetje që është shumë serioze: Pse nuk e ka kërkuar më herët këtë nga Qeveria e Kosovës në dialog rreth rikthimit të serbëve?
Mendoj se Vuciçi duhet të kërkojë gjëra të tilla për shkak të opinionit të brendshëm, sepse opinioni në Serbi do të ishte kundër tij nëse nuk do të kërkonte një gjë të tillë. Dhe, kjo ishte prognoza ime për këtë pikë.
Sidoqoftë, Vuciçi është duke llogaritur shumë në shtetet e BE-së, në Komisionin Evropian dhe ai do t’iu thotë këtyre shteteve se pa zbatimin e këtyre shtatë pikave ai nuk mund të bëjë asgjë në Serbi për t’i zbatuar pikat e tjera të rëndësishme të dialogut.
Këto janë vërtet parakushte dhe do të jenë ndihmesë edhe për Lajçakun dhe Borrellin. Sepse me këto kushte Vuiçici qartazi po tregon se e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit drejt normalizimit dhe atë të Ohrit”, ka thënë tutje ai.