Krenar Alihmehmeti u zgjodh kreu i shoqatës Rajonale në Tiranë me 44 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër. Në këto zgjedhje nuk mori pjesë kandidati tjetër, Eduard Prodani i cili u largua duke i quajtur këto si zgjedhje të manipuluara. Sipas Prodanit në zgjedhje ishin më shumë se 42 delegatë.
Kujtojmë se ditën e sotme ka filluar një “luftë e hapur” mes kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreut të FSHF, Armand Duka. Në një audio të publikuar nga FSHF, të takimit informal që Veliaj ka mbajtur dje me disa prej anëtarëve të shoqatës Rajonale të fubtollit në Tiranë, kryebashkiaku, flet me një gjuhë rruge, dhe shantazhon trajnerët dhe mësuesit e edukimit fizik se si të votojnë gjatë ditës së sotme.
Burime bëjnë me dije se pas këtij përgjimi, FSHF ka kallëzuar në prokurori Veliajn.
Veliaj po kërkon me çdo kusht që Duka të mos rikandidojë për kreun e FSHF-së, dhe për këtë ditët e fundit ka kërkuar dhe një hetim ndërkombëtar ndaj tij, me pretendimin se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën.
Ndërsa në një reagim të bërë nga rrjeti i tij social, Veliaj tha se nuk tërhiqej nga ato që kishte thënë dhe se sa i përket fjalorit të rrugës të përdorur në audiopërgjim kryebashkiaku u shpreh se kishte qenë një bisedë mes djemsh.