Shënavlashi u trondit sërish, po me të njëjtin skenar, ku fëmijët pasi vrasin babain kërkojnë ndihmën e policisë. Esmerald Balla vrau babain e tij pas një sherri për një kasafortë më 75 mijë euro dhe më pas e hodhi atë në një pus. Esmerald Balla, 30-vjeçari që vrau me armë babanë e tij Enverin në Shënavlash të Durrësit, ka thënë para policisë se e ka kryer vrasjen në gjaknxehtësi e sipër.
Pasi u vendos para fakteve, 30-vjeçari pranoi krimin dhe tha se kishte vepruar në gjaknxehtësi, pasi zbuloi se babai, “për shkak të marrëdhënieve që kishte me gra jashtë martese, kishte prishur kursimet e shtëpisë”.
Nga ana tjetër, policia nga këqyrja e aparateve celular të autorit ka zbuluar se ai ka pasur kontakte me faqe eskortash që ofrojnë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.
Sipas informacioneve, kthesë për hetimin bëri kasaforta e thyer që u gjet jashtë banesës ku jetonte viktima me bashkëshorten e tij (njerkën e autorit pasi nëna i kishte vdekur vite më parë) si dhe autori me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur.
Kasaforta e thyer dhe mungesa e kursimeve të familjes orientoi policinë drejt një krimi të mundshëm në familje. Dyshimet u vërtetuan kur u zbulua se mesazhi i dërguar djalit në emigracion ku i shkruhej se babai kishte nisur jetë të re me një grua dhe të mos e kërkonin ishte dërguar nga vetë 30-vjeçari Esmerald Balla nga një adrese false që ai kishte hapur pikërisht për këtë qellim.