Dy ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Gledis Nano u shkarkua me vendim të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Sipas Berishës, Nano është shkarkuar me urdhër të kryeministrit Rama, për të mbuluar aferat e këtij të fundit. Ndër të tjera, Berisha tha se qarkullojnë informacione se Nano është informuar nga dikush që Vis Martinaj paguante 30 mijë euro në muaj ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.
Berisha: Implikimi i Olsi Ramës është bërë publik, nuk është një gjë e re. E sollën autoritetet ligjzbatuese gjermane. Edi Rama dyshon se ky lehtësoi hetimin gjerman apo dyshon se ky nxori sekretin unë nuk e di. E vërteta është që bixhozxhiu më i madh i Shqipërisë dhe Ballkanit është Olsi Rama dhe për pasojë familja Rama. Nuk ka asnjë sekret këtu. Kurse ministri i familjes, kur u akuzua si anëtar i shoqatës skafiste tha unë merrem me vela, nuk merrem me skafe. Mirëpo doli që shoqata e tij transportonte drogë. Transportonte drogë në Itali dhe 2.2 ton, sasi kolosale. Të gjithë përmendën ministrin. Kisha të dhënë nëpër mesazhe por përsëri të paverifikuara. Kjo është evidente. Çfarë do ministri në një shoqatë që transporton drogë? largimi i tij ishte politik se i shkeli në kallo.
Thonë që largimi i tij kishte lidhje me largimin e kontejnerit të kokainës që u la në port derisa u vodh e gjithë kokaina dhe kjo nuk duhej të dilte. Kjo e tërboi Edi Ramën. Por duhet t’i kesh të substancuara gjërat. Thuhet që ky takoi Jetnor apo Jetmir Latën i cili ndër të tjera i tha se Ardi Veliu paguhej 30 mijë euro në muaj nga Ervis Martinaj dhe i kishte blerë vilë. Unë këto nuk i di, por po them çfarë qarkullojnë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë nuk mund ta hiqte kurrë ministri, vetëm kryeministri. Ky u hoq për afera të Ramës. Po pse për Ardi Veliun e ka hequr ai? Jo. E ka hequr për veten e tij.