Lideri historik i PD, Sali Berisha ishte i ftuar në një takim me intelektualët në Shkodër, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 6 marsit.
“Ju keni shumë mendime, ide dhe projekte, të cilat jam i interesuar t’i dëgjoj. Shkodra në çdo aspekt, zotëron një potencial të jashtëzakonshëm. Detyra më kryesore e atyre që qeverisin është se si të kontribuojnë në zhvillimin, shfrytëzimin e këtyre potencialeve që Shkodra mishëron, duke filluar nga shpirti i qytetarëve të saj deri te brigjet mahnitëse dhe deri te Alpet. Banorët e Shkodrës e meritojnë të kenë një jetesë shumë më të mirë nga kjo që kanë sot.
Ky është një moment i një rëndësie kritike, pasi pas 8 vitesh qeverisje socialiste, vendi u ndodh me një narko-shtet, këtë nuk e them unë, por analistët më seriozë të botës dhe me një pseudo-opozitë pasi kjo po faktohet për mbarë qytetarët.
Kjo e dyta, në një aspekt është edhe më tragjike se e para. Qeveria mund të bëjë zgjedhjet e gabuara, të marrë vendimet e gabuara, por ajo gjithmonë duhet të përballet me një opozitë të vërtetë, që ngjall shpresë për të dalë nga situata.
Tetë vitet faktuan se opozita ishte më shumë në idealet e qytetarëve se në drejtimin e saj. Kjo periudhë merr fund. Ne që jemi këtu, jemi të vërtetë. Ne nuk pranojmë një filozofi të tillë. Ne nuk e pranojmë pseudo-pluralizmin”, tha Berisha.
Tapitë e tokave i bllokon mafia
Berisha gjatë një takimi me intelektualë shkodranë ka folur edhe për çështjen e tapive të tokave.
I pyetur nga një prej të pranishmëve, në lidhje me çështjen e titujve të pronësisë dhe investimeve, Berisha tha këto tapi i kontrollon mafia qeveritare.
‘Mafia i bllokon tapitë. Në Vlorë, 8 drejtorë hipoteke janë ndërruar, ka pasur raste edhe çdo muaj. E tëra një vepër e mafias shtetërore.
Do të marrë fund me shpejtësinë më të madhe, pas përmbysjes së narko shtetit’, deklaroi gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha.
Duke folur për përmbytjet në Shkodër, Berisha deklaroi se janë dhënë disa konkluzione se si mund të shpëtojë qyteti.
“Qeveria u mor shumë me këtë problem. Ne morëm ish-kryeinxhinierin e ministrisë së Ujërave të Holandës, drejtuesin e digave në Britani dhe një personalitet të shquar italian.
Konkluzionet e tyre ne do ti zbatonim. Njëri prej konkluzioneve ishte ndërtimi i unazës digë.
Shkodran mbrohet duke e lartësuar unazës, duke e përgatitur me të gjitha pompat dhe kryente edhe bajpasin e Shkodrës dhe mbronte dhe qytetin”, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.