Në një letërkëmbim ndërmjet Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me Presidentin e SHBA-së Joe Biden, ky i fundit i kishte premtuar Osmanit se do të ndihmojë Kosovë me vaksina kundër Covid-19.
Ky premtim u realizua gjatë së premtes ku mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer iu dorëzuan Kosovës. Presidentja Osmani i ftoi qytetarët që të vaksinohen me dozën përforcuese, ndërsa tha se Kosova gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë përkrahjen e SHBA-së.
“Sikurse në vitin 1999, SHBA u dëshmua krah nesh, atëherë na shpëtuan nga lufta, ndërsa tani nga të gjitha variantet e COVID-19. SHBA mbetet aleate e Kosovës”.
Kryeministri Kurti tha se vaksinimi është i domosdoshëm ndërsa këtë e ndërlidhi edhe me lirimin e masave kundër Covid-19.
Aktualisht në Kosovë janë mbi 16 mijë raste aktive me Covid-19. Numri i të prekurve ditëve të fundit ka rënë dukshëm.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 770 raste të reja me Covid-19 ndërsa për fat të keq 2 persona kanë humbur betejën me këtë sëmundje.