Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Gero në një intervistë për mediat kosovare ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron për pezullimin e vizave gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Gero konfirmoi se nuk ka vendim për pezullim të vizave për Kosovën nga ana e Francës dhe se liberalizimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.
“Presidenti Macron ka rikujtuar se liberalizimi i vizave që tani është në fuqi në Serbinë dhe që do të jetë zbatohet nga data 1 janar 2024 në Kosovë është një inkurajim pozitiv, nje gjest i mirëbesimit dhe se ky gjest nuk ka qenë reciprok dhe se është e domosdoshme që të dy palët të riangazhohen ne dialog. Ky ka qenë një mesazh politik që te dy palët shpresoj se do ta dëgjojnë,” u shpreh ai.
Ndër tjerash ambasadori francez foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi pas sulmit të 24 shtatorit e tema të tjera.
“Presidenti është pyetur ne fund të një vizite bilaterale në Shqipëri gjatë së cilës marrëdhëniet në mes të Francës dhe Shqipërisë janë përforcuar.
Pra, ka pasur një pyetje për situatën në Kosovë dhe ai ka dashur t’i vendos të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, para përgjegjësive. Duke filluar me Serbinë, duke e ftuar presidentin Vuqiç që t”i dënojë fuqishëm sulmin e 24 shtatorit, vrasjen e policit Afrim Bujaku, dhe sulmin ne tërësi dhe duke këkuar që të ndriçohet sulmi në tërësi dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ky ka qenë mesazhi i parë.
Mesazhi i dytë për Kosovën dhe Serbinë lidhur me nevojën për të organizuar zgjedhje te reja ne veri për arsye që dihen dhe që nuk kam nevojë t’i rikujtojë. Zgjedhje me një pjesëmarrje të serbëve dhe me kthimin e serbëve në institucione,” tha ambasadori Gero.