Dita e sotme pritet të jetë vendimtare për Kosovën, pasi në KE pritet të miratohen raportet e progresit për vendet aspiruese për të hyrë në BE. Në disa fusha raporti do jetë i ndryshëm për Kosovën, por tek liberalizimi i vizave Komisioni Evropian i mbetet besnik qëndrimit të vitit 2018.
KE-ja thotë se regjimi i vizave për shtetasit e Kosovës duhet hequr dhe se kushtet janë përmbushur.
Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ndërkohë, sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport e KE-së, thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit.