Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e shënuar ditën e djeshme në lagjen Kiras të Shkodrës, ku u vra Ismet Çekorja, babai i Barjam Çekorjas, një prej autorëve të dyshuar të një atentatit 9 ditë më parë.
Bëhet me dije se Çekorja doli nga banesa për të blerë disa birra, ku dy persona me motor dhe skafandra në kokë e qëlluan me breshëri plumbash.
Viktima 57 vjeç mori 7 plumba në kokë dhe humbi jetën rrugës për në spital. Policia e ka të vështirë për të bërë identifikimin e autorëve pasi mbanin në kokë skafandra, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi edhe ngjarja.
Policia e Shkodrës ka shoqëruar sot 15 persona, si autorë të dyshuar pas vrasjes së Ismet Çekores, apo që mund të kenë informacion për ngjarjen. Mes të shoqëruarve është dhe Alban Bruçi, objektiv i një atentati pak ditë më parë në Shkodër ku si autor kryesor i dyshuar i tij, u akuzua nga policia Bajram Cekorja, djali i të ndjerit Ismet Çekorja. Pasi është marrë në pyetje është lënë i lirë.