Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, e cilësoi projektin e “Ballkanit të Hapur” si “shumë konstrovers” dhe skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas Gjukanoviç, Ballkani nuk ka nevojë për këtë, por ka nevojë për anëtarësim në BE.
“Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Evropë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimeve të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara. Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, kësaj radhe ‘bota serbe’. Dhe kjo vazhdon automatikisht me të njëjtët zullumqarë të shtetit të madh”, tha Gjukanoviç.
Ai vlerësoi se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe një gjenocid tjetër”.
Gjukanoviç ka thënë për portalin “Vojvodina Autonomija” se Malit të Zi i është dhënë mundësia për të përparuar në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ka shtuar se ky shans është edhe një rrugë drejt anëtarësimit në BE, shkruan KosovaPress.