Sipas të dhënave të bëra publike nga Instituti i Statistikave, gjatë 2021 numërohen 1.376 aksidente rrugore nga 1.234 në 2020.
Gjatë kësaj periudhe janë aksidentuar 1860 persona, nga 1.598 gjatë vitit paraardhës.Viti që lamë pas është mbyllur me një rritje të numrit të aksidenteve rrugore.
Rritje ka pësuar dhe numri i personave që kanë humbur jetën, ku sipas INSTAT janë 197 qytetarë, nga 181 gjatë vitit 2020. Gjatë vitit të shkuar, aksidentet rrugore, në 15,3 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 17,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe muaji Dhjetor tregon se ngjarjet rrugore kanë pësuar rritje. Në muajin e 12 të vitit u regjistruan 119 aksidente nga 113 që ishin në Dhjetorin e 2020. Rritje ka pësuar dhe numri i të vdekurve, ku kanë humbur jetën 21 persona, nga 13 që ishin Dhjetorin e 2020.
Në publikimin e INSTAT, krahasimi bëhet edhe me vitin 2019 pasi gjatë 2020 nisi pandemia dhe u bllokua qarkullimi i automjeteve. Sipas këtij krahasimi, numri i aksidenteve, viktimave dhe qytetarëve të përfshirë në ngjarje rrugore ka rënë.