Policia ka dhënë detaje për arrestimin e Lul Rakajt, i cili të dielën plagosi me armë zjarri dy persona në Malësinë e Madhe.
Ngjarja ndodhi në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.
“Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku shtetasi L. R., tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit B. C., dhe A. H, të cilët mbetën të plagosur, dhe më pas shtetasi L.R, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij. Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar“, lexohet në njoftimin e policisë.
“Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej. Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar” , shton policia.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se “autori ishte bashkë me bashkëshorten në makinë”.