Presidenca e Kosovës ka dalë me një tjetër përgjigje në lidhje me reagimin e fundit të kryeministrit, Edi Rama.
Ai për mes një postimi në llogarinë e tij në “Twitter” iu përgjigj kritikëve për idenë e tij që KFOR-it të vendoset në Veri ku shtoi se kjo ka qenë kërkesë edhe e presidentes Vjosa Osmanit.
Në lidhje me këtë reagim të Ramës zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina u shpreh se Osmani në çdo takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se KFOR-i është reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës si reaguese e parë në secilën pjesë të territorit të saj.
“Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj.
Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia”, tha Kupina.
Kupina më tej shtoi se ky vendim nuk ka lidhje për marrjen e kompetencave të institucioneve nga KFOR-I, por për mbështetje të institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia.
“Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, përfundoi ai.